Këshilla për Konsumatorët

 

Këto janë 10 gabime që ndoshta i keni bërë ndonjëherë kur keni larë rrobat

 

Ju përdorni zbutës për çdo gjë

Sigurisht që zbutësi i bën peshqirët tuaj të butë, të lëmueshëm dhe ai gjithashtu mban erë të mirë. Për fat të keq, zbutësi kur teprohet në përdorim, zvogëlon aftësinë e thithjes së ujit nga rrobat. Pra, peshqiri psh, fillon të humbë aftësinë absorbuese të ujit kur fshiheni me të.

Ju lini zinxhirat hapur

Para se të hidhni pantallonat ose xhaketën me zinxhir në shportën e rrobave të ndotura, duhet të siguroheni që zinxhiri është i mbyllur. Nëse ju lini zinxhirin hapur, dhëmbët metalike mund të dëmtojnë rrobat e tjera, kur rrobat centrifugohen në lavatriçe ose tharëse.

Ju vendosni rroba me njolla te makina tharëse

Kjo i ndodh të gjithëve, hamë spaghetti dhe t-shirt jonë i bukur bëhet plot me salcë. Edhe pas larjes, njollat portokalli janë të dukshme. Gjithmonë kontrolloni për të parë nëse lavatriçja ka qenë në gjendje të largojë çdo njollë para vendosjes së rrobës në makinën tharëse. Nëse njolla është ende e dukshme, trajtojeni atë me një trajtues njollash dhe shpëlaheni përsëri rrobën.

Ju nuk i zbrazni xhepat e pantallonave

Jo vetëm fëmijët harrojnë ushqim, facoleta, stilolapsa, para ose sende të tjera në xhepat e tyre para se ata të hedhin pantallonat në shportën për larje. Kjo ndodh edhe tek të rriturit. Merrni pak kohë dhe kontrolloni të gjitha xhepat para se t’i vendosni në lavatriçe.

Ju nuk e pastroni lavatriçen pas larjes së rrobave shumë të ndotura

A ke larë diçka shumë të pistë? Për shembull, krevati i një qeni ose mace, pantallona me baltë, rroba  me rërë apo rroba kopshtarie? Mbas kësaj nuk duhet thjesht të vazhdoni të përdorni lavatriçen tuaj si normalisht, por së pari duhet t’a pastroni atë tërësisht.

Bëni një program larje pa rroba , me pak detergjent dhe një filxhan uthull. Kështu mund të hiqni lehtë mbeturinat e mbetura në lavatriçe.

Ju nuk kujdeseni rregullisht për lavatriçen

Zakonisht, mendojmë se lavatriçja duhet të jetë makina më e pastër. Ajo lan rregullisht dhe duhej të ishte e pastër. Për fat të keq, nuk është kështu. Edhe një lavatriçe duhet të mirëmbahet dhe pastrohet rregullisht. Përndryshe, ajo mund të marrë erë të rëndë dhe rrobat të vinë era myk, etj.

Merrni pak zbardhues klori dhe lëreni lavatriçen të bëjë një program me 90 gradë. Kështu mund të largoni të gjitha bakteret, mykun dhe papastërti të tjera. Kur mbaron programi me 90 gradë, ju duhet të beni dhe një larje tjetër boshe, këtë herë me një filxhan uthull, qe duhet ta hidhni te dhoma e zbutësit.

Kjo bëhet 1 herë në muaj.

Ju mbingarkoni lavatriçen

Ndonjëherë ne nuk kemi aq shumë kohë dhe për të kursyer kohën mendojmë t’a mbushim lavatriçen plot e përplotë. Kjo nuk është efektive, sepse rrobat nuk mund të pastrohen siç duhet ngaqë uji larës nuk depërton siç duhet në rroba. Jo vetëm që rrobat nuk lahen mirë, po dhe  pajisja juaj maksimalizon konsumimin.

Ju zgjidhni programin e gabuar

Programi më “i përdorur” i lavatriçes është zakonisht më i nxehti, i cili është i përshtatshëm për rroba të rënda, të tilla si peshqir, batanije etj, por shumë intensiv për pëlhura të lehta. Sigurohuni që gjithmonë të zgjidhni programin e duhur për rrobat tuaja për të zvogëluar konsumimin. Gjithashtu për tharësin, duhet të kujdeseni që të mos mbingarkohet me rroba.

Ju përdorni shumë detergjent

“Shumë ndihmon shumë” – kjo fjali nuk është gjithmonë e saktë. Detergjent i tepërt, do të thotë ujë të tepërt me sapun që noton në sipërfaqen e ujit, që kthen papastërtitë sërisht në rroba. Në këtë mënyrë rrobat mund të thithin sërisht bakteriet.

Ndiqni udhëzimet e masave, të prodhuesve të detergjentit, dhe atëherë asgjë nuk mund të shkojë keq.

Ju hidhni detergjentin pluhur direkt në rroba

Ky është një gabim me detergjentët pluhur. Mund të ndodhë që detergjenti të mos shpërndahet dhe tretet plotësisht ose të lërë njolla ​​ose viza të shëmtuara në rrobat tuaja.

Gjithmonë hidhni detergjentin pluhur në vendin përkatës në lavatriçe. Kështu detergjenti dozohet dhe merret vetë nga lavatriçja sipas programit dhe mund të shpërndahet në mënyrë optimale së bashku me ujin.